Bonusi i bebes kalon me pagesë mujore nga 1 korriku 2027, përfitimi deri në 5 vjeç
Bonusi i bebes do të kalojë nga pagesa e menjëhershme në mbështetje mujore, nga lindja e fëmijës deri në moshën 5 vjeç.
Skema e bonusit të bebes do të ndryshojë nga 1 korriku 2027, duke kaluar nga pagesa e menjëhershme në një mbështetje mujore për familjet. Në vend të 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekëve për të dytin dhe 120 mijë lekëve për të tretin, shteti do të japë pagesa çdo muaj nga momenti i lindjes së fëmijës deri në moshën 5 vjeç.
Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj, ose 60 mijë lekë në vit. Për fëmijën e dytë do të jepen 7 mijë lekë në muaj, ose 84 mijë lekë në vit, ndërsa për fëmijën e tretë pagesa do të arrijë në 10 mijë lekë në muaj, ose 120 mijë lekë në vit. Ndryshimi synon të krijojë një mbështetje më afatgjatë për familjet dhe të nxisë çiftet e reja të kenë më shumë fëmijë.
Mbështetja financiare shtrihet në disa vite
“Ndryshimi kryesor është që mbështetja nuk merret më e gjitha në një moment, por shtrihet në një periudhë më të gjatë. Kjo i jep familjes një të ardhur të parashikueshme dhe mund të ndihmojë në mbulimin e disa prej shpenzimeve që lindin gjatë viteve të para të fëmijës”, deklaroi Doralda Tanellari, studiuese e çështjeve ekonomike.
Sipas saj, mbetet për t'u parë nëse niveli i mbështetjes financiare do të jetë i mjaftueshëm për të ndikuar në vendimet e çifteve për zgjerimin e familjes. “Megjithatë, duhet parë nëse kjo shumë është e mjaftueshme për të ndikuar realisht në vendimin e një çifti për të pasur një fëmijë tjetër. Kostot e rritjes janë shumë më të larta dhe familjet marrin parasysh edhe strehimin, çerdhet, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë e të ardhurave”, u shpreh Tanellari.
Lindjet vazhdojnë rënien
Ndryshimi i skemës vjen në një periudhë kur Shqipëria po përballet me rënie të numrit të lindjeve. Në gjysmën e parë të vitit u regjistruan 10,229 lindje, ose 108 më pak krahasuar me 10,337 lindje në periudhën janar–qershor 2025, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave.
“Problemi demografik nuk zgjidhet vetëm me një pagesë mujore. Duhet një paketë më e gjerë politikash që t’ua bëjë më të lehtë çifteve të reja të ndërtojnë familje, të kenë mundësi punësimi, shërbime për fëmijët dhe një perspektivë më të qëndrueshme ekonomike”, tha Doralda Tanellari.
Gjatë kësaj periudhe, numri i vdekjeve tejkaloi atë të lindjeve, duke sjellë një shtesë natyrore negative të popullsisë. U regjistruan 150 vdekje më shumë sesa lindje, duke reflektuar më tej sfidën demografike me të cilën po përballet vendi. Në kushtet kur numri i të rinjve dhe i familjeve që zgjedhin të kenë fëmijë po tkurret, politikat e mbështetjes së familjeve marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)